
VENDIM
Nr.798, datë 29.9.2010
PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ADMINISTRIMIN E MBETJEVE
SPITALORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 3 e 4 të nenit 42 të ligjit nr.10 138, datë
11.5.2009 “Për shëndetin publik”, të nenit 3 të ligjit nr.9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin
mjedisor të mbetjeve të ngurta” dhe të neneve 26 e 27 të ligjit nr.9537, datë 18.5.2006 “Për
administrimin e mbetjeve të rrezikshme”, me propozimin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe
Administrimit të Ujërave dhe Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e rregullores “Për administrimin e mbetjeve spitalore”, që i bashkëlidhet këtij
vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e
Shëndetësisë dhe organet e njësive të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
RREGULLORE
PËR ADMINISTRIMIN E MBETJEVE SPITALORE
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi dhe objekti
Kjo rregullore përcakton procedurat, rregullat dhe standardet teknike për administrimin e
mbetjeve spitalore me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit.
2. Përkufizime të termave
Në kuptimin e kësaj rregulloreje, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
a) “Mbetje spitalore” janë mbetjet e krijuara nga prodhuesit e mbetjeve, ku përfshihen:
mbetjet e rrezikshme dhe jo të rrezikshme, të cilat renditen në paragrafin 18 të vendimit nr.99, datë
18.2.2005 të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Klasifikimit
të Mbetjeve”.
b) “Prodhues i mbetjes” është personi fizik dhe juridik, i cili zotëron ose administron një
institucion shëndetësor, që krijon mbetje spitalore, duke përfshirë dhe duke mos u kufizuar vetëm
në: spitale, poliklinika, qendrat shëndetësore, kabinete mjekësore, qendra mjekësore, kabinete
dentare, klinika dentare, laboratorë dentarë, qendra diagnostike, depo farmaceutike, farmacitë,
qendra kozmetike, qendra të tatuazhit, qendra të rehabilitimit nga droga, laboratorët e shëndetit
publik, institucionet kërkimore-shkencore, banka e gjakut, morget, shërbimet funerale, klinikat
veterinare, shërbimet ambulatore të infermierisë që vizitojnë pacientë në banesa.
c) “Zotërues i mbetjes spitalore” është personi fizik e juridik, i cili krijon mbetje spitalore,
grumbullon, ruan përkohësisht, transporton dhe largon për në vendin e caktuar mbetjet spitalore të
prodhuara prej tij, si dhe i përpunon e i asgjëson ato.
d) “Transport” është veprimtaria që lidhet me transportin e mbetjeve spitalore, duke
përfshirë ngarkimin, transportimin e shkarkimin, sikurse dhe përgatitja, shërbimi e mirëmbajta e
pajisjeve të përdorura për transportin e mbetjeve spitalore.
e) “Institucion shëndetësor” është çdo vend ku krijohen mbetjet spitalore, duke përfshirë:
spitale, poliklinika, qendrat shëndetësore, kabinete mjekësore, qendra mjekësore, kabinete dentare,
klinika dentare, laboratorë dentarë, qendra diagnostike, depo farmaceutike, farmacitë, qendra
kozmetike, qendra të tatuazhit, qendra të rehabilitimit nga droga, laboratorët e shëndetit publik,
institucionet kërkimore shkencore, banka e gjakut, morget, shërbimet funerale, klinikat veterinare,
shërbimet ambulatore të infermierisë që vizitojnë pacientë në banesa.
f) “Instrumente të mprehta” janë të gjitha sendet e infektuara apo të painfektuara që mund të
shkaktojnë shpime apo prerje, duke përfshirë, dhe mos u kufizuar, vetëm tek aget, shiringat,
bisturitë, lamat, gërshërët, tubat kapilarë dhe instrumentet e tjera të mprehta.
g) “Mbetje infektuese” janë të gjitha mbeturinat e ndotura nga çdo lloj patogjeni, si:
bakteret, viruset, parazitët ose kërpudhat dhe përfshijnë kulturat nga puna në laborator, mbeturinat
nga ndërhyrjet kirurgjikale dhe autopsitë, mbeturinat nga pacientët e infektuar, materialet apo
pajisjet (që janë për t’u hedhur) në kontakt me këta pacientë, me kafshë të infektuara, si dhe
materialet dhe pajisjet e mjekëve dhe të personelit tjetër, që kanë qenë në kontakt me pacientë të
infektuar.
h) “Mbetje patologjike” përfshijnë indet, organet, pjesë të trupit, placentat, gjakun dhe
lëngjet e tjera të organizmit të njeriut.
i) “Mbetje farmaceutike” përfshijnë produktet farmaceutike të skaduara ose të
papërdorshme, produktet farmaceutike të kontaminuara nga rënia/rrëzimi përtokë, barnat e tepërta,
vaksinat ose serumet dhe sendet e hedhura të përdorura gjatë trajtimit të barnave, të tilla si: shishe,
kuti, doreza, maska, tuba ose shishe.
j) “Mbetje radioaktive” përfshijnë mbeturinat e lëngëta, të ngurta dhe të gazta, të ndotura
me lëndë radioaktive, të prodhuara nga analizat “in vitro” të indeve dhe lëngjeve të trupit, si dhe
nga imazheria “in vivo” e organeve të ndryshme për qëllime diagnostike dhe terapeutike.
k) “Mbetje e rrezikshme” përfshijnë mbeturinat e infektuara, patologjike, shpuese,
farmaceutike, toksike, kimike dhe radioaktive, ujin dhe tretës të infektuar.
l) “Mbetje të parrezikshme” përfshijnë letrat, sendet prej qelqi, plastike, kartonët,
ambalazhet, mbeturinat ushqimore, mbeturina druri dhe ndërtimi.
m) “Administrimi i mbetjeve” përfshin minimizimin/reduktimin në burim, ndarjen,
grumbullimin, transportimin, depozitimin, asgjësimin, pakësimin dhe ripërdorimin e mbetjeve.
n) “Magazinim” është grumbullimi i përkohshëm në një vend të caktuar i mbetjeve spitalore
sipas kërkesave të paragrafit 8.5 të kësaj rregulloreje.
o) “Asgjësim i mbetjes” përfshin proceset e eliminimit të rrezikshmërisë dhe që pas të cilave
nuk parashikohet përpunim tjetër i mbetjes.
p) “Trajtim i mbetjes” është ndryshimi i vetive ose i përbërjes së mbetjes, duke e
transformuar atë në produkt përfundimtar ose në lëndë të parë apo ndihmëse për prodhimin e
produkteve përfundimtare.
q) “Qese/çantë kundër rreziqeve kimike” nënkupton një qese/çantë, e cila nuk fut
lagështirën dhe ka forcë të mjaftueshme për të mos u çarë, grisur ose për të mos plasur në kushte
normale përdorimi të thesit me plehra.
3. Fusha e veprimit
Kjo rregullore zbatohet nga të gjithë personat fizikë e juridikë, publikë e privatë, vendas dhe
të huaj:
- veprimtaritë e të cilëve krijojnë mbetje spitalore;
- kur janë zotërues të mbetjeve, të licencuar për grumbullimin, ruajtjen, depozitimin,
transportimin, riciklimin, përpunimin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore.
Përjashtohen nga zbatimi i kësaj rregulloreje:
Individët prodhues të mbetjeve spitalore, kur këto prodhohen gjatë vetëmjekimit ose gjatë
shërbimit mjekësor në banesë, përveçse kur individi detyrohet t’i vendosë mjetet e mprehta në
kontejnerë rezistentë ndaj shpimeve dhe t’i largojë ato në përputhje me rregullat e miratuara nga
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministri i Shëndetësisë.
4. Roli i organeve shtetërore
a) Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Shëndetësisë
hartojnë standardet e administrimit të mbetjeve spitalore.
b) Ministria e Shëndetësisë siguron kushte për aplikimin e standardeve të administrimit të
mbetjeve spitalore.
c) Inspektorati i Mjedisit dhe Inspektorati Sanitar Shtetëror janë përgjegjës për kontrollin e
zbatimit të standardeve për menaxhimin e mbetjeve spitalore.
d) Organet e pushtetit vendor janë përgjegjëse për miratimin e vendndodhjes së impianteve
të përpunimit të mbetjeve spitalore dhe venddepozitimit të mbetjeve spitalore jo të rrezikshme.
e) Organet e pushtetit vendor monitorojnë administrimin e mbetjeve spitalore sipas
kompetencave.
KREU II
DETYRIMET E PRODHUESVE TË MBETJEVE SPITALORE
5. Prodhuesit e mbetjeve spitalore janë përgjegjës për:
a) grumbullimin e kontrolluar të mbetjeve spitalore pranë institucionit shëndetësor;
b) ndarjen e mbetjeve spitalore të parrezikshme (të llojit urban) nga mbetjet spitalore të
rrezikshme;
c) ambalazhimin, etiketimin, magazinimin, grumbullimin, trajtimin, transportimin dhe
asgjësimin në mënyrë të përshtatshme, të mbetjeve spitalore të gjeneruara prej tyre;
d) shpenzimet e transportit, asgjësimit ose riciklimit të mbetjeve spitalore të gjeneruara prej
tyre. Kjo përgjegjësi është e pashmangshme dhe e pavarur nga përgjegjësia e ndonjë personi të tretë
të ngarkuar nga prodhuesi, për të ndërmarrë këto veprimtari;
e) të gjitha dëmet e shkaktuara në mënyrë direkte ose indirekte në mjedis dhe në shëndetin
publik nga procesi i grumbullimit, magazinimit, transportimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore të
krijuara prej tyre.
6. Regjistrimi
6.1 Çdo prodhues i mbetjeve spitalore duhet të regjistrohet në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve
dhe Administrimit të Ujërave brenda tre muajsh nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, ndërsa
prodhuesit që fillojnë veprimtarinë e tyre, pas botimit të saj në Fletoren Zyrtare, jo më vonë se 30
ditë para fillimit të veprimtarisë që krijon mbetje spitalore.
6.2 Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave vendos një numër regjistrimi
për çdo prodhues të mbetjeve spitalore, i cili i njoftohet prodhuesit.
6.3 Çdo prodhues duhet të vendosë numrin e regjistrimit mbi të gjitha fletët shoqëruese,
etiketat e vendosura në ambalazhimet që mbajnë mbetje spitalore dhe skedat bashkëngjitur
ngarkesave që përmbajnë mbetje spitalore.
6.4 Numri i regjistrimit është individual dhe nuk mund të transferohet.
6.5 Për prodhuesit e regjistruar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të
Ujërave përpara hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, kjo ministri brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi
e kësaj rregulloreje, harton një data-baze, ku përfshihen të dhënat e plota të regjistrimit të
mëparshëm dhe nëse rezulton se të dhënat e regjistruara nuk janë të plotësuara në përputhje me këtë
rregullore, i njofton prodhuesve të mbetjeve spitalore për detyrimin e plotësimit të të dhënave që
mungojnë. Ky proces duhet të përfundohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje,
në rast përshihen edhe prodhuesit e regjistruar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të
Ujërave përpara hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, që nuk plotësojnë detyrimet e përcaktuara në
këtë rregullore sipas afateve të parashikuara në të.
6.6 Çdo prodhues duhet të njoftojë me shkrim Ministrinë, brenda 30 ditësh, për ndryshimet
në strukturën e pronësisë, emërtimin, vendndodhjen, mënyrën e veprimtarisë ose për ndonjë
ndryshim në veprimtarinë e tij, që mund të ketë ndikim në llojin dhe sasinë e mbetjeve spitalore të
krijuara.
7. Masat konkrete për administrimin e mbetjeve spitalore
Brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, çdo prodhues mbetjesh
spitalore përgatit:
7.1 Një rregullore të brendshme për administrimin e mbetjeve spitalore brenda njësisë
funksionuese.
7.2 Një plan për administrimin e mbetjeve spitalore, që duhet të përmbajë minimalisht
informacionin e mëposhtëm:
a) një përshkrim të mbetjeve spitalore të prodhuara nga njësia përkatëse, duke përfshirë
llojin, peshën dhe vëllimin;
b) një përshkrim të procedurave të kërkuara për administrimin e mbetjeve në njësinë
përkatëse;
c) një përshkrim të zonës brenda dhe jashtë saj, ku prodhohet depozitohet apo trajtohet
mbetja spitalore;
d) destinacionin, metodat e trajtimit dhe të asgjësimit për çdo lloj mbetje spitalore;
e) procedurat dhe veprimtaritë për kualifikime në administrimin e mbetjeve spitalore;
f) veprimtaritë informative që lidhen me shëndetin, sigurinë dhe asgjësimin e rregullt të
mbetjeve spitalore për të gjithë personat që mund të bien në kontakt me to;
g) procedurat dhe pajisjet e kontrollit të ndotjes dhe të pastrimit;
h) emrin, adresën dhe numrin e telefonit të personit (personave) përgjegjës për
administrimin e mbetjeve spitalore.
7.3 Çdo prodhues rishikon planin për administrimin e mbetjeve spitalore në përputhje me
planin kombëtar për administrimin e mbetjeve të ngurta dhe planin kombëtar për administrimin e
mbetjeve të rrezikshme, brenda një viti pas miratimit të tyre.
7.4 Plani për administrimin e mbetjeve spitalore duhet të përditësohet çdo tre vjet.
KREU III
TRAJTIMI I MBETJEVE SPITALORE
8. Çdo prodhues i mbetjeve spitalore është përgjegjës për trajtimin e mbetjeve që nga
prodhimi, grumbullimi, ndarja, transporti, magazinimi, përpunimi dhe deri tek asgjësimi i tyre.
8.1 Çdo prodhues ndan që në burim elementet e rrezikshme nga ato të parrezikshme të
mbetjeve spitalore, sipas rregullores së brendshme për administrimin e mbetjeve spitalore dhe i
magazinon ato të ndara.
8.2 Në rast se në vendin e prodhimit apo gjatë transportit, mbetjet spitalore të rrezikshme,
në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme, përzihen me mbetje spitalore të parrezikshme, këto
mbetje spitalore do të trajtohen si mbetje të rrezikshme.
8.3 Pas procesit të ndarjes, për mbetjet spitalore të parrezikshme që cilësohen si “mbetje
urbane” nga paragrafi 9 i nenit 2 të ligjit nr.9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të
mbetjeve të ngurta”, zbatohet ligji nr.8094, datë 21.3.1996 “Për largimin publik të mbeturinave”.
8.4 Mbetjet spitalore të rrezikshme ambalazhohen dhe etiketohen në përputhje me shtojcën
2.A dhe magazinohen të ndara nga mbetjet e tjera.
8.5 Kur mbetjet spitalore duhet të transportohen për t’u trajtuar në vend tjetër, magazinimi
në terren i tyre bëhet në një zonë të caktuar në brendësi apo në afërsi të vendeve të trajtimit, apo të
pikave të nisjes, duke përmbushur kërkesat e mëposhtme:
a) Të lejohet hyrja vetëm e personave që kanë kualifikim për të administruar mbetje
spitalore.
b) Të tregohet kujdes për sigurinë e kontejnerëve, të parandalohen rrjedhjet, të sigurohet
mbrojtja nga uji, shiu dhe era, si dhe të shmangen kushtet e inkubimit mikrobik dhe/ose të
dekompozimit të tyre. Mbetjet njerëzore, shtazore apo të ndonjë gjallese tjetër të magazinuara për
më shumë se 24 orë, por gjithsesi më pak se 48 orë nga ambalazhimi, duhet të ruhen në frigorifer
ose hapësirë frigoriferike që përdoret vetëm për mbetjet spitalore në një temperaturë jo më të lartë
se 10°C.
c) Të jenë ndërtuar me materiale të qëndrueshme dhe pa kënde, që pastrohen lehtësisht, që
nuk lejojnë depërtimin e lëngjeve dhe të jenë rezistentë ndaj parazitëve e agjentëve të tjerë
mjedisorë.
d) Të mbahen pastër në kushte të mira sanitare dhe në gjendje të mirë funksionale.
e) Mbetjet të jenë të etiketuara në mënyrë të dukshme me simbolin ndërkombëtar të
biorrezikshmërisë të paraqitur në shtojcën 2.A dhe me njoftime të rrezikut në dyer, porta ose
mbulesa, frigoriferë dhe kontejnerë të tjerë që tregojnë përdorimin e magazinës për mbetje spitalore,
ku hyrja e personave të paautorizuar është e ndaluar.
f) Sistemet e kullimit të dyshemesë së magazinës duhet të mundësojnë shkarkimet direkt në
një sistem kanalizimesh sanitare për asgjësimin e ujërave të ndotura, në përputhje me ligjin nr.
9115, datë 24.7.2003 “Për trajtimin mjedisor të ujërave të ndotura”, ose në një impiant grumbullimi
që parandalon derdhjen e lëngjeve dhe rënien në kontakt me mjedisin.
8.6 Kontejnerët e mbetjeve të rrezikshme spitalore duhet të përmbushin kërkesat e
përcaktuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, të etiketohen në përputhje me shtojcën 2.B
dhe të magazinohen në mënyrë të tillë që të lejojnë hyrjen për qëllime inspektimi.
8.7 Mbetjet spitalore nuk duhet të presohen apo t’u nënshtrohen veprimeve të sforcuara
mekanike, përveç rasteve kur këto janë pjesë e një procesi të posaçëm trajtimi, të miratuar nga
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, bazuar në ligjin nr.9537, datë 18.5.2006
“Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”. Mbetjet e rrezikshme spitalore transportohen brenda
45 ditësh nga grumbullimi i tyre.
8.8 Transportimi në terren i mbetjeve të rrezikshme spitalore kryhet në përputhje me:
a) Mbetjet spitalore që krijohen jashtë zonës se prodhimit fillestar të tyre, nuk pranohen për
transport në terren.
b) Asnjë person nuk duhet të pranojë për transport mbetjet spitalore që nuk janë
ambalazhuar dhe etiketuar në përputhje me shtojcën 2.
c) Një automjet që transporton mbetje spitalore infektuese duhet të përmbushë kërkesat e
shtojcës 4 të kësaj rregulloreje.
8.9 Magazinimi i mbetjeve spitalore. Mbetjet infektive nuk duhet të magazinohen për më
shumë se 45 ditë para trajtimit. Në qoftë se era përbën shqetësim publik, Inspektorati Sanitar
Shtetëror/Inspektorati i Mjedisit kërkon largim më të shpeshtë. Në zonën e magazinimit të
kontejnerëve me mbetje mjekësore duhet të ndalohet hyrja e personave të paautorizuar. Zonat e
magazinimit duhet të kenë shenja paralajmëruese në dyert hyrëse, porta ose kapakë. Në zonën e
magazinimit nuk duhet të lejohet hyrja e kafshëve dhe elementeve natyrore dhe të parandalohet
krijimi i vendeve të shumimit ose burimit të ushqimit për brejtësit ose insektet. Ato, gjithashtu,
duhet të jenë të rrethuara.
8.10 Përpunimi dhe asgjësimi i mbetjeve spitalore kryhet me metodat sipas shtojcës 3.
8.11 Impiantet për përpunimin e mbetjeve spitalore respektojnë kushtet e asgjësimit dhe
normat e shkarkimeve në ajër të përcaktuara në pikën 5.1.2 “Linja për djegien e mbetjeve të
rrezikshme dhe spitalore” të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.435, datë 12.9.2002 “Për
miratimin e normave të shkarkimeve në ajër në Republikën e Shqipërisë”, si dhe kërkesat specifike
sipas shtojcës 5.
8.12 Impianti për trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve spitalore nuk duhet të pranojë nga
prodhuesit mbetje spitalore në rast se nuk janë shoqëruar me fletë-dorëzimi, në përputhje me ligjin
nr.9537, datë 18.5.2006 “Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”.
8.13 Impianti duhet të mbajë regjistrime të pranimeve, që minimalisht përfshijnë
informacionin e mëposhtëm:
a) emrin dhe adresën e prodhuesit;
b) peshën e mbetjeve të pranuara;
c) datën dhe orën e pranimit të mbetjeve; dhe
d) nënshkrimin e personit që pranon mbetjet.
8.14 Të gjitha regjistrimet që bëhen sipas kësaj rregulloreje, ruhen për një periudhë deri në
shtatë vjet. Kjo periudhë shtyhet automatikisht në rast të moszbatimit të aktit administrativ për
veprimtarinë e rregulluar, ose me kërkesën e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të
Ujërave.
9. Instalimi i impianteve
Përcaktimi i vendit ku instalohen impiantet e përpunimit dhe të asgjësimit të mbetjeve
spitalore, i nënshtrohet procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas përcaktimeve të neneve
12 dhe 13 të ligjit nr.9537, datë 18.5.2006 “Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”.
KREU IV
LEJA MJEDISORE DHE AKTMIRATIMI HIGJIENO-SANITAR
10.1 Grumbullimi, transportimi, përpunimi dhe asgjësimi i mbetjeve spitalore kryhen nga
organet kompetente shtetërore, personat juridikë publikë, si dhe personat fizikë apo juridikë privatë,
që janë pajisur me lejen përkatëse për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
10.2 Leja e veprimtarisë së mësipërme është e vlefshme në shkallë vendi dhe miratohet nga
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.
10.3 Inspektorati Sanitar Shtetëror, pas ekspertimit higjieno-shëndetësor, lëshon aktmiratim
higjieno-sanitar për ushtrimin e veprimtarisë.
KREU V
MONITORIMI I ADMINISTRIMIT TË MBETJEVE SPITALORE
11. Detyrimi për monitorimin e administrimit të mbetjeve spitalore
11.1 Monitorimi i mbetjeve spitalore është pjesë e programit kombëtar të monitorimit të
mjedisit dhe kryhet sipas kërkesave të tij. Monitorimi i mbetjeve spitalore përfshin të gjitha fazat
procesit të administrimit të tyre, sipas kësaj rregulloreje, dhe realizohet i veçantë për çdo lloj
mbetjeje spitalore.
11.2 Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
miratojnë programin e monitorimit të mbetjeve spitalore, të detyrueshëm për zbatim nga prodhuesit
e këtyre mbetjeve.
11.3 Zotëruesit e mbetjeve spitalore monitorojnë administrimin e mbetjeve me shpenzimet e
veta dhe ua dërgojnë këto të dhëna çdo tre muaj Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë Mjedisit,
Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe inspektorateve respektive në nivel vendor.
KREU VI
KONTROLLI DHE SANKSIONET
12. Kontrolli
12.1 Ndaj veprimtarisë së zotëruesve të mbetjeve ushtrojnë kontrolle Inspektorati i Mjedisit,
Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe organet e pushtetit vendor.
12.2 Objekt i kontrollit është zbatimi i rregullave dhe kërkesave për:
a) administrimin e mbetjeve spitalore;
b) funksionimin e impianteve dhe të instalimeve të përpunimit dhe të asgjësimit të mbetjeve
spitalore;
c) zbatimi i programit të monitorimit sipas pikës 11.2 nga zotëruesit e tyre;
ç) mbajtjen e regjistrave të veçantë për mbetjet;
d) plotësimin e kushteve të sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë;
dh) zbatimin e programeve të masave teknike, teknologjike e organizative.
12.3 Kompetencat sipas pikës 12.2, ushtrohen:
- Për shkronjat “a” “c” “ç” “d”, nga Inspektorati Sanitar Shtetëror.
- Për shkronjat “a” “b” “c” “ç” “dh”, nga Inspektorati i Mjedisit;
- Organet e pushtetit vendor.
13. Kundërvajtjet administrative
Shkelja e kërkesave të kësaj rregulloreje, përbën kundërvajtje administrative, në përputhje
me nenin 26 të ligjit nr.7643, datë 2.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar”, të ndryshuar dhe nenit 33
të ligjit nr.9010, datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, dhe është
objekt i masave administrative mbështetur në nenin 27 të ligjit nr.7643 datë 2.12.1992 “Për
Inspektoratin Sanitar”, të ndryshuar dhe nenit 25 të ligjit nr.9537, datë 18.5.2006 “Për
administrimin e mbetjeve të rrezikshme”.
14. Zbatimi
Ngarkohen Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministri i Shëndetësisë
dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e kësaj rregulloreje.
Rregullorja nr.6 datë 30.11.2007 “Për administrimin e mbetjeve spitalore”, e miratuar nga
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në bashkëpunim me Ministrinë e
Shëndetësisë, shfuqizohet.